Lufta çon në 198 lekë/litër naftën, qeveria ngre Task-Forcë kundër abuzimeve
Rritja e çmimit të naftës pas tensioneve në Lindjen e Mesme ka çuar gazoilin në 198 lekë për litër, ndërsa qeveria paralajmëron kontrolle për të shmangur abuzimet në treg.
Nafta rritet me 25 lekë brenda pak ditësh
Tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme kanë reflektuar edhe në tregun shqiptar të karburanteve. Në pikat kryesore të shitjes, nafta po tregtohet rreth 198 lekë për litër, me një rritje prej 25 lekësh që nga data 4 mars, kur çmimi u rrit për herë të parë rreth pesë ditë pas nisjes së konfliktit.
Rritja e çmimeve lidhet me luhatjet në tregjet ndërkombëtare. Nga rreth 70 dollarë për fuçi më 27 shkurt, një ditë para sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, çmimi i naftës bruto arriti në 119 dollarë për fuçi më 9 mars. Më pas, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se lufta mund të jetë drejt fundit, çmimi ra në rreth 87 dollarë për fuçi.
Task-Forcë për monitorimin e tregut
Për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur rritjet abuzive të çmimeve, qeveria shqiptare ka vendosur ngritjen e një Task-Force për kontrollin e sektorit të hidrokarbureve. Struktura do të ngrihet nga Ministria e Financave dhe do të zbatohet nga administrata tatimore dhe doganore.
Task-Forca do të monitorojë tregtimin e karburanteve si në shumicë ashtu edhe në pakicë dhe do të kontrollojë marzhet e fitimit të kompanive përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, nga importi deri te shitja për konsumatorin final.
Mekanizëm i përditshëm për monitorimin e çmimeve
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të krijojë një mekanizëm të përditshëm monitorimi për çmimet e hidrokarbureve në tregun vendas, duke i krahasuar ato me luhatjet në bursën Platts të Mesdheut, që përdoret si referencë për gazoilin dhe benzinën.
Masat janë vendosur pas një takimi mes ministrave Delina Ibrahimaj, Petrit Malaj dhe Enea Karakaçi me kompanitë kryesore të sektorit dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve, ku u analizua raporti mes çmimeve të importit, shitjes me shumicë dhe shitjes me pakicë në tregun vendas.
Ndërkohë, Ministria e Financave do të rrisë kontrollin tatimor dhe doganor për të garantuar që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale në tregjet ndërkombëtare dhe që aktiviteti i kompanive të zhvillohet në përputhje me ligjin.
Masat ngjajnë me modelin e vitit 2022
Masat e reja i ngjajnë atyre të ndërmarra në vitin 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë, kur u ngrit Bordi i Transparencës për karburantet. Ndryshe nga ai mekanizëm, i cili caktonte edhe çmimin dhe marzhet e fitimit të kompanive, task-forca e re do të fokusohet kryesisht në monitorim dhe kontroll të tregut.